Tiranë – Haxhinasto kërkon liberalizim të vizave me Kroacinë

Një kërkesë të tillë Haxhinasto ia drejtoi përfaqësuesit zyrtar të Kroacisë, gjatë një takimi të përbashkët, ku u vlerësua ndër të tjera edhe niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve midis dy vendeve, bashkëpunimi miqësor, si dhe perspektiva për forcimin dhe thellimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Bashkëbiseduesit theksuan më tej, rëndësinë e nxitjes dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, të cilat gjatë gjysmës së parë të vitit 2010 kanë patur një rritje të ndjeshme. Në këtë kontekst, ministri Haxhinasto dhe ambasadori Javorski vlerësuan mbajtjen gjatë muajit dhjetor 2010, të Sesionit të Tretë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik. Gjithashtu, u shpreh gatishmëria për të vijuar bashkëpunimin dypalësh drejt një partneriteti në fushat e energjisë dhe të infrastrukturës, në vijim të projekteve të iniciuara dhe me qëllim identifikimin e projekteve të reja të përbashkëta. Më tej, ministri Haxhinasto kërkoi bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe, në kuadër të NATO-s, KE-së, OKB-së dhe OSBE-së, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e mbështetjes reciproke për çështjet me interes të ndërsjellë. Në përfundim të takimit, Haxhinasto vlerësoi rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Kroacisë për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajon, dhe veçanërisht mbështetjen e saj për shtetin e ri të Kosovës.

Advertisement