Në kuadër të takimeve përmbyllëse me partnerët ndërkombëtarë që kanë asistuar në reformimin e drejtësisë, ministri aktual i Drejtësisë, Eduard Halimi, priti në një takim zv/ambasadorin e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Henry Jardine. Në fjalën e tij Ministri Halimi falenderoi zv/ambasadorin për mbështetjen e jashtëzakonshme në zhvillimin e disa prej projekteve që reformuan drejtësinë si dixhitalizimi i gjykatave; realizimi i projektit për ndryshimet në Kodin te Procedurës Penale si dhe krijimi i procedurave për ngritjen e Dhomës së Ndërmjetësve, duke i konsideruar ato si projekte madhore ecuria pozitive e të cilave nuk duhet të vihet në diskutim. Halimi shprehu shqetësim në lidhje me disa tentativa të maxhorancës së re, që dëmtojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor si dhe u shpreh se administrata teknike e trajnuar me paratë e taksapaguesve amerikan dhe evropian nuk duhet të preket nga fshesa e ekzekutivit të ri. Ministri e siguroi zv. ambasadorin se opozita do të mbajë një qëndrim konstruktiv për sa kohë maxhoranca e re do të mbaj të njëjtin qëndrimin ndaj institucioneve të pavarura dhe nuk do të pengojë ecurinë projekteve. Nga ana e tij zv/ Ambasadori i SHBA, Henry Jardine shprehu mirëkuptim për shqetësimet e ngritura nga Ministri Halimi dhe e falënderoi atë për realizimin me sukses dhe efektivitet të projekteve. Në këtë takim zv/ambasadori shoqërohej nga, Michael Vaccaro, drejtues i OPDAT (Departamenti i Drejtësisë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës), Joseph ëilliams, Drejtori i USAID-it në Shqipëri, si dhe John Carver, Drejtori i projektit JUST (Projekti për Forcimin e Sektorit të Drejtësisë në Shqipëri).