Tiranë | Grupi parlamentar i PD do të kërkojë shkarkimin e kreut të KLD-së

alt

Kryeministri Berisha e bëri këtë deklaratë në mbyllje të mbledhjes së parë të grupit kuvendor demokrat për këtë vit të ri parlamentar, ku nënvizoi se Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Bamir Topi bashkë me zëvendësin e tij, nënkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiu bashkërendojnë punën për formimin e partisë së re, që ka për Kryetar, Presidentin e Republikës. Kryeministri Berisha tha se partia e re që po formon Topi dhe Spahiu synon të sjellë në pushtet Edi Ramën, i cili humbi zgjedhjet dy vjet më parë. E duket se për t’i prerë krahët në fund të mandatit të tij Presidentit dhe Kreut të KLD-së Bamir Topi, shefi i mazhorancës deklaroi se grupi parlamentar i PD-së ka vendosur të kërkojë shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, për shkak se ai në kundërshtim me Kushtetutën ka krijuar dhe drejton në emër të Bamir Topit një parti, e cila siç mund të mendohet është “Aleanca Kuq e Zi”. Kryeministri me një ton të ashpër e cilësoi nënkryetarin e KLD-së një sharlatan e aventurier, të cilit duhet t’i hiqet mandati përmes votimit në Parlament. “T’i hiqet mandati këtij aventurieri, sharlatani, se ai këtë parti e ka me Kryetarin e KLD-së dhe përfaqëson zotin Topi. Parlamenti shqiptar këtë sharlatan duhet ta heqë, pasi ai ka vendosur standardet më të papranueshme në funksionimin e atij institucioni dhe më pas e ka kthyer në një forcë politike. Kjo është shumë e rëndë”, deklaroi zoti Berisha, duke nënvizuar se Kreshnik Spahiu s’mund të ketë të ardhme. “S’ është katastrofë, pasi ai s’ka të ardhme. Ata që punojnë në këtë mënyrë, ditën për diell, ata kthehen aty ku kanë qenë, në skutat e errësirës. Emrin e ka Kreshnik, por është një individ i pavlerë, e me të nuk ia vlen të merresh”, tha kryeministri, duke nënvizuar se duhet votuar shkarkimi i tij në parlament. Mandej, kryeministri Berisha foli për zgjedhjen e Presidentit, duke garantuar se procesi do të jetë kryekëput kushtetues. “Ai do të jetë një proces kryekëput kushtetues. Kjo mazhorancë ka potenciale të mëdha njerëzore për t’i dhënë vendit një personalitet me integritet të lartë, që të përmbushë detyrimet e tij, por më duhet t’u garantoj se do të jetë Kushtetuta e vendit ajo që do të zbatohet pikë për pikë”, tha kreu i qeverisë. Kryeministri vlerësoi edhe deklaratat e ndërkombëtarëve që s’kanë reshtur së apeluari për zgjedhjen e një Presidenti konsensual, duke nënvizuar se ai e respekton mendimin e ambasadorëve, porse fjala e fundit i takon vetëm Kushtetutës. “Respekti im për mendimin ndryshe është shumë i madh nga kushdo që vjen, aq më tepër kur vjen ndonjëherë nga ambasadorët. Dhe unë jam i ndjeshëm ndaj mendimit ndryshe, por çdo gjë ka një hierarki dhe për mua respekti për Kushtetutën është absolut”, tha kryeministri duke garantuar se mazhoranca qeverisëse do të zbatojë Kushtetutën dhe se Presidenti Topi do të vijojë të kryejë detyrën e tij deri në fund të mandatit në 22 korrik.

Advertisement