Me këtë deklaratë ka dalë Policia e Tiranës pas hetimeve të para të kryera për ngjarjen në fjalë që shokoi opinionin publik. Sipas zëdhënëses së policisë së Tiranës, Alma Katragjini, gruaja ka mashtruar familjarët dhe të afërmit e saj, pasi ekzaminimet kanë treguar se ajo nuk kishte qënë asnjëherë shtatzënë. Zëdhënësja e policisë ka bërë një pasqyrim të ngjarjes që nga denoncimi i shtetasit Sajmir Roshi që kunata e tij Griselda shtatzënë ishte marrë forcërisht pranë qendrës “Kristal” në kryeqytet dhe ishte detyruar të lindte fëmijën jashtë dëshirës së saj. Më pas zëdhënësja e policisë thekson se për zbardhjen e ngjarjes janë marrë në pyetje edhe dy taksistët dhe personat të cilët kanë kontaktuar me të si dhe shoqja me të cilën ka pirë kafe ditën që ajo mashtroi se ishte rrëmbyer. Ndërkohë ende nuk dihen arsyet të cilat e kanë çuar 28-vjeçaren të krijojë një ngjarje të tillë që prej dy ditësh tronditi opinionin publik shqiptar.


