Tirane – Gjykata vendos per pergjegjesit e tragjedise se Gerdecit

Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë arrest burg për Sokol Gjecin ish punonjës i MEICO-s. Ai është person i katërt i cili së bashku me Mihail Delijorgjin, Dritan Minxhollin dhe Ylli Pinarin ndodhen të arrestuar si përgjegjës të tragjedisë së 15 marsit 2008. Burime brenda seancës gjyqësore bënë të ditur se i pandehuri nuk ka thënë asnjë fjalë, ndërsa seanca e vlerësimit të masës së sigurisë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ka zgjatur jo më shumë se 15 minuta. Sokol Gjeci akuzohet për vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës më shumë se dy persona dhe për shkatërrim të pronës. Dy akuza për të cilat do të përgjigjen edhe ish drejtori i tij, Ylli Pinari, Mihail Delijorgji, pronari i fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit të predhave dhe fishekëve, “AlbaDemil” dhe drejtori ekzekutiv i kësaj shoqërie. I arrestuari Sokol Gjeci duhej të mbikqyrte veprimtarinë e fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit të predhave dhe fishekëve, “AlbaDemil” si dhe të gjitha kompanive të tjera të cilat merreshin me demontimin e municioneve. Sipas burimeve nga prokuroria Sokol Gjeci akuzohet se ka lejuar shkarkimin e një sasie municionesh tej rregullave dhe normave të lejuara në punishte. Gjithashtu nuk ka marrë masat e duhura për shmangien e grumbullimit të sasive të konsiderueshme të municioneve në Gërdec. Prokuroria e Përgjithshme firmosi dje mbylljen e hetimeve për tre të akuzuarit kryesorë si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec. Dje në ambientet e burgut të 313 në Tiranë, prokurorët i kanë komunikuar aktet hetimore kanë firmosur mbylljen e hetimeve për ish-drejtorin e kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratorin e kompanisë “Alba Demil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxholli. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve “Alba Demil” në Gërdec të Vorës gjetën vdekjen 26 persona, mbi 300 u plagosën dhe u shkatërruan mijëra banesa dhe ndërtesa të tjera fuksnionale.
Advertisement