Pritet që sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda të zhvillohet seanca për të caktuar masën e sigurisë për Dritan Dajtin i cili u arrestua tre ditë më parë në plazhin e Durrësit, nga një operacion Policisë së Shtetit i cili veç arrestimit të Dajtit përfundoi dhe me vrasjen e katër policëve si dhe me vrasjen e mikut të të kërkuarit. Prokuroria e Krimeve të Renda ka ngritur akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një polici, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, vrasje kjo e kryer në bashkëpunim, ndaj Dritan Dajtit dhe kunatit të tij Erges Xhaxhit, në bazë të nenit 79 të kodit penal. Ndërsa ndaj të arrestuarit Elvis Karoli i cili u kap në Tiranë një ditë pas ngjajres është ngritur akuza e ndihmësit në bashkëpunim për vrasjen e katër oficerëve. Për të tre të arrestuarit do të shtohet edhe akuza e mbajtjes pa leje të armëve luftarake si edhe të mjeteve policore. Dritan Dajti përvec kësaj mase do të njihet edhe me tre dënimet e tjera që ka marrë gjatë periudhës që ka qenë në arrati. Dënimi minimal për tre të akuzuarit në bazë të Kodit Penal është 20 vjet ndërsa maksimali është burgim i përjetshëm. Prokuroria nuk bëri të ditur asgjë në lidhje me deklarimet e kryera nga tre të arrestuarit, në lidhje me ngjarjen ndërsa pritet që hetimet të zgjerohen pasi lidhjet e Dajtit mendohet të kenë qenë të shumta. Dy të arrestuarit që ndodhen në qelitë e paraburgimit të 313 në Tiranë kanë dhënë hollësi në lidhje me ngjarjen se si ndodhi ajo duke u perpjekur të mos marrin fajësi në krim, ndërsa vetë i akuzuari kryesor ka kundërshtuar t’u përgjigjet pyetjeve të grupit hetimor. Një ndër pikat kryesore me të cilën policia është duke u marrë aktualisht mbetet se kush ka dhënë ndihmë për kalimin e kufirit Dritan Dajtit, që rezulton se kishte ardhur nga një prej shteteve fqinje javët e fundit në Tiranë. Ndërkohë që Policia shqiptare mohon zyrtarisht të ketë patur dekonspirim gjatë aksionit për kapjen e Dritan Dajtit, kësaj të premte në Durrës, ku humbën jetën katër policë. Gjatë një deklarate zyrtare numri një i policisë së shtetit, Ahmet Prenci ka deklaruar se mbi policinë nuk ka qëlluar vetëm Dritan Dajti, por e gjithë banda e tij duke shkaktuar humbjen e katër oficerëve të policisë. Ai ka deklaruar se ky sektor i kapjes së elementëve të kërkuar mbetet më i suksesshmi brenda strukturave të policisë së shtetit, që numëron disa dhjetra elemente të rrezikshëm të neutralizuar.

Advertisement