Tiranë – Gjykata Kushtetuese shqyrton sot Ligjin për Pastrimin e Figurave

Pasi një shqyrtimi të parë që i bëri në datën 17 prill, anëtarët e këtij organi, do ta analizojnë sërish kushtetueshmërinë e këtij ligji, sipas ankesave që kanë paraqitur tre subjekte pranë tij. Bëhet fjalë për atë që ka paraqitur Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Socialistët nga ana e tyre kërkojnë rishikimin e 28 neneve të këtij ligji. PS u referohet neneve që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësisë së prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas prokurorëve, ligji në fjalë bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe me ligjin organik të Prokurorisë, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar votash, plot 84 të tilla, pra me më shumë mbështetje parlamentare sesa ligji i dosjeve që u miratua me shumicë të thjeshtë. Kurse sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligji i lustracionit “bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me disa ligje në fuqi”. Për rrjedhojë, KSHH kërkon shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ligji i lustracionit, i miratuar me shumë debate nga kuvendi pak kohë më parë, ka qënë pjesë e diskutimit të djeshëm në takimin e kryeministrit Sali Berisha me ministrin për zhvillimin Rajonal të Cekisë, Cyril Svoboda. Ministri ka theksuar se demokracitë duhet të tregohen të forta në mbrojtjen e vlerave të tyre dhe për këtë arsye ligji i lustracionit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë. Qëndrim ky që është mbështetur edhe nga kryeministri Berisha, i cili ka përmëndur hapat pozitivë që vëndi ynë ka bërë gjatë këtyre katër viteve, duke realizuar reformat kryesore të cilat çuan në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Advertisement