Tiranë | Gjykata e Apelit, analiza vjetore

Transparenca me publikun, iniciativat e forcimit të gjykatës në mënyrë të pavarur apo përmbledhjet e çështjeve të gjykuara për vitin 2013, sfidat e propozimet për vitin 2014, ishin në qendër të Analizës vjetore të vitit 2013, të prezantuar nga Alaudin Malaj, Kryetar i Gjykatës së Apelit. Malaj tha se “kanë përfunduar 2724 çështje civile themeli si dhe 1201 çështje penale, 160 çështje administrative, 812 çështje me objekt sigurim padie, rivendosje afati, etj, 250 çështje dhënie në fuqi të vendimeve të gjykatave të huaja, 902 çështje për vlerësimin e masave të sigurimit si dhe 4 çështje penale ushtarake”. Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës, në rolin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Bujar Nishani, theksoi rëndësinë që ka sistemi i drejtësisë ndërsa nënvijëzoi se, “kjo reformë në thelb, duhet të jetë vullnet dhe jo synim”, e shtoi se “ka ardhur koha që gjyqtarë me një periudhë shërbimi në sistemin e drejtësisë 10 apo 15 vite, të gëzojnë statusin e gjyqtarit të Apelit”, pavarësisht sipas Nishanit, “në se nuk janë zgjedhur si anëtarë të kësaj Gjykate”, ndërsa “të gjithë gjyqtarët me 20 apo 25 vite eksperiencë në sistemin e drejtësisë duhet të gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”. Ti bëjmë themelet e Gjykatës sa më të forta, si dhe një angazhim më të madh për reformën në drejtësi, ka qenë thirrja e Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani në fjalën e tij, duke shtuar se, “jam i bindur se kohë pas kohe do të formatojmë këtë pushtet, duke bërë kështu themelet e shtetit më të forta”. Presidenti Nishani, gjithashtu deklaroi në fjalën e tij duke dhënë gatishmërinë në mbështetjen e Gjykatës. “E rëndësishme është të mos mbetemi veçse në konstatim”, theksoi ndër të tjerash Nishani, duke e përmbyllur se, “ky pushtet të jetë sa më i hapur ndaj publikut dhe sa më transparent”.

Advertisement