Tiranë | Gjosha: Vendosmëri politike për përmbushjen e 5 prioriteteve të integrimit

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, theksoi sot se “Shqipëria është e angazhuar për të përmbushur 5 prioritetet kyçe që janë paraqitur në raportin e Bashkimit Europian”. Gjatë takimit të pestë të Komitetit të Stabilizim Asociimit, të zhvilluar në Tiranë, ministrja Gjosha tha se “si një vend kandidat, për t’u bërë pjesë e BE -së dhe për të marrë statusin e vendit kandidat i dimë shumë mirë sfidat që kemi përpara dhe ato që duhet të përballemi”. “Ne kemi shprehur anagazhimin tonë drejt kësaj rruge, pra me 5 prioritetet kyçe dhe do të punojme deri në detaj për t’i përmbushur ato siç është reforma e administratës publike, që është një nga objektivat kryesorë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian”, nënvizoi Gjosha. Ne, vijoi Gjosha, kemi dëshirën e plotë politke për të luftuar krimin dhe korrupsionin. “Jemi të angazhuar përsa i përket reformës për Policinë, ndërsa kemi marrë hap për të arritur gjithëpërfshirjen. Në fushën e të drejtave të njeriut, pas organizimit të Seminarit për përfshirjen e Romëve në shkurt 2014, po merren masa për të forcuar përfshirjen e tyre dhe për të përmirësuar zbatimin e politikave kryesore si: kujdesi social dhe shëndetësor, arsimi dhe formimi profesional, strehimi dhe infrastruktura, apo regjistrimi në gjendjen civile”, tha Gjosha. Duke folur për dialogun politik ministrja Gjosha theksoi se “qeveria shqiptare është e angazhuar për ta përmbushur atë. Janë marrë masa për të nxitur përmbushjen e të gjitha reformave të përcaktuara dhe qeveria shqiptare është e angazhuar për të përmbushur të gjitha sugjerimet që na kanë ardhur nga BE. Ne do të bëjmë të pamundërn dhe do ta përforcojmë atë c’ka duam të arrijmë për t’u bërë pjesë e BE dhe mbi të gjitha për të marrë statusin”.

Advertisement