Tiranë | Gjoncaj: kërkesa e PD është e paligjshme

Thursday, December 18, 2025

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Genci Gjonçaj e cilësoi kërkesën e Partisë Demokratike për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake të kryeqytetit si dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare të rezultateve, një kërkesë të paligjshme dhe të pavend. Gjonçaj theksoi se PD ka ndryshuar nga dje sot, objektin e kërkesës sa i përket procesit të rinumërimit të votave në KQZ. Sipas Gjonçaj kërkesa e mëparshme nisi me kqyrjen e procesit, dhe më pas kërkon rivlerësimin e votave të nxjerra nga të 113 kutitë e shqyrtuara në KQZ. Genci Gjonçaj e cilësoi këtë kërkesë si një tentativë të PD-së për të rihapur një çështje të mbyllur. Sipas tij nëse kjo kërkesë vlerësohet si e ligjshme, nënkupton se edhe pas një muaji një pale tjetër i jepet e drejta të rikërkojë numërimin e votave. Gjonçaj e cilësoi të pakuptimtë kërkesën edhe për faktin se aty ankimohet edhe tabela e rezultatit ku u përfshinë votat e kontestuara të numëruara në KQZ. Gjonçaj apeloi se për këtë duhet të japë përgjigje KQZ, e cila siç tha ai ka fuqinë e kartonave pro PD-së. “Është një çështje që realisht nuk ekziston, juridikisht nuk ka sens. Kjo është një çështje e paligjshme dhe më shumë do ngatërrojë se do zgjidhë punë”, tha Gjonçaj, duke iu referuar faktit se PD kërkoi të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë që u numëruan në KQZ. Ndërkohë dy kërkesat e Partisë Socialiste kërkojnë shpalljen të pavlefshme të vendimit të KQZ-së për tabelën përmbledhëse të njësisë bashkiake numër 5 si dhe për tabelën përmbledhëse të bashkisë së Tiranës. Sipas PS-së këto dy tabela janë të pavlefshme për shkak se u përpiluan pas numërimit të votave të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara. KQZ po shqyrton në këto momente provat e paraqitura mbi parregullsitë në qendrat e votimit, procesverbalet e grupeve të numërimit, librat e protokolleve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -