Tiranë | Gjiknuri: Nuk ka asnjë projekt për devijimin e Radikës

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri tha se nuk ka asnjë projekt konkret të dorëzuar në qeveri ose në ministri për ndërtimin e një HEC-i në Fushën e Lukovës (Maqedoni). Ministri Gjiknuri u shpreh se, për këtë hidrocentral është një projekt-ide e hedhur prej shumë kohësh nga qeveria maqedonase. Gjiknuri sqaroi se në takimin me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini në 27 nëntor 2013, e ka thënë të qartë se e vetmja rrugë, sipas të cilës kjo çështje mund të diskutohet është se “nëse projekti ka impakt në ujërat e Shqipërisë, zgjidhja e tyre parashikohet në marrëveshjet ndërkombëtare dhe ndërkufitare përsa i përket regjimit të ujërave”. “Kjo është përgjigja!”, garantoi Gjiknuri. “Ne presim të shikojmë projektin nga ana teknike dhe patjetër, nëse ka impakt mbi pasuritë e vendit, padiskutim që qeveria shqiptare do të mbajë qëndrimin në përputhje me marrëveshjet dhe me interesat dhe asnjë nuk duhet t’a paragjykojë, apo të luajë politikisht me këtë gjë”, tha ministri Gjiknuri. Kohët e fundit ka nisur një debat i gjerë për devijimin e lumit Radika për ndërtimin e një HEC-i në Fushën e Lukovës në Maqedoni. Shumë shoqata mjedisore këndej dhe në Dibër të Madhe, ku rrjedh lumi i Radikës, janë shprehur kundër ndërtimit të hidrocentralit, pasi do të ketë impakt negativ si në burimet ujore të Drinit, ashtu dhe ato mjedisore, pasi prek biodiversitetin.

Advertisement