Tiranë – Gjendet cift i vdekur brenda makinës, shkak asfiksia

Lajmi konfirmohet paraprakisht nga burimet policore, sipas të cilave viktima e parë është identifikuar përmes patentës së tij si Luan Elezi, 58 vjeç. Ndërsa viktima tjetër mësohet të jetë një grua e moshës rreth 50-vjeç dhe se makina ku ajo ka ndërruar jetë së bashku me të lartpërmendurin ndodhej në një nga garazhet pranë ish-Uzinës “Dinamo” në Tiranë. Bëhet me dijeni gjithashtu se trupat e të dy viktimave janë çuar në morgun e QSUT-së. Policia pohon paraprakisht se në trupin e viktimave, të paktën sipas konstatimeve të para, nuk u gjendën as plagë dhe as gjurmë të tjera që mund të vërtetonin një vrasje të mundshme të tyre. Ekspertët mjeko-ligjorë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konfirmojnë paraprakisht se çifti ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë. Ndërkaq, policia ka nisur menjëherë nisjen e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të ngjarjes, i pari prej të cilëve mësohet të jetë roja i uzinës “Dinamo”, ai i cili edhe ka konstatuar mëngjesin e sotëm makinën me dy viktimat brenda tij.

Advertisement