Tiranë – G99 në protestë, ministri Prifti plotëson dëshirat e kryeministrit

Etjen Xhafaj i lëvizjes G99, e akuzoi ministrin Prifti si një politikan i cili në vend që të ndihet borxhli ndaj qytetarëve, ndjen për detyrë të plotësojë vetëm kërkesat e dëshirat e kryeministrit Sali Berisha. “Ky ministër nuk është borxhli ndaj qytetarëve, por ndaj Berishës që i dha karrigen ministrore, ndaj dhe nuk ndihet i detyruar të mbajë premtimet, por vetëm të plotësojë kërkesat e dëshirat e Kryeministrit”, tha përfaqësuesi i G99. Duke argumentuar se kjo protestë bëhet për një problem real që prek gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, Xhafaj shtoi se “Prifti gënjeu për OSSH-në, gënjeu për ARMON e tani sigurisht po gënjen e zhgënjen qytetarët edhe për çmimin e energjisë elektrike”. Gjatë kësaj proteste aktivistët e G99 mbanin parulla ku shkruhej: “Nuk ngrihen çmimet në kohë krize”, një parullë ironizuese: “Z. Prifti, bëj plan alternativ për në prill”, apo: “10,000 euro = inspektor karburanti! Po për dritat sa?”, parullë kjo që i referohej një deklarate të ministrit Prifti sipas të cilit sot paguhet ryshfet deri në 10,000 euro për t’u bërë inspektor karburanti, dhe parulla të tjera që i kujtonin drejtuesit të këtij dikasteri gjithë premtimet e pambajtura ndaj qytetarëve.

Advertisement