Tiranë – Fullani, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar

Nga ana tjetër, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar dhe kjo tendencë parashikohet të vijojë edhe në muajt në vazhdim. Ky konstatim vjen nga Banka e Shqipërisë, e cila rendit edhe arsyet e kësaj situate. Gjatë një konference për shtyp, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani pohoi se “aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit”. “Treguesit më të fundit të ekonomisë reale, si treguesit e shitjeve, treguesit monetarë dhe ata të besimit, sinjalizojnë frenimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010. Stopimi i investimeve nga pjesa më e madhe e bizneseve, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve, rënia e importit të mallrave kapitale dhe rritja e ulët e kredisë për investime, dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të investimeve private edhe në muajt e parë të këtij viti”, tha Fullani. Nga ana tjetër, ai shtoi se “ritmet më të moderuara të rritjes së punësimit dhe të pagave, tkurrja e kredisë konsumatore, ecuria e dobët e shitjeve me pakicë, tregojnë për një frenim edhe të konsumit aktual dhe atij të pritur në periudhën afatshkurtër”. Ky fakt është pranuar edhe nga INSTAT, i cili pak ditë më parë publikoi tregtinë me pakicë, ku sipas të dhënave të tij, konsumatorët kanë reduktuar blerjet, duke i përqendruar ato vetëm tek mallrat e domosdoshëm, si ushqime apo medikamente. Sipas guvernatorit, kreditë me probleme kanë arritur në 10.5%, megjithatë ato parashikohet të ulen në 6-mujorin e dytë dhe më tej në vitin e ardhshëm. Guvernatori vijoi më tej duke u shprehur se nuk ka vend për panik se kriza greke mund të ndikojë në sistemin tonë bankar. Edhe pse një shqetësim i tillë u ngrit një ditë më parë edhe nga ministri i Financave, guvernatori garantoi mbikëqyrje të rreptë ndaj bankave në vendin tonë.

Advertisement