Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, pas vizitës së sotme në Tiranë, deklaroi se procesi i reformave që lidhet me procesin e integrimit në BE duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi, në të mirë të qytetarëve. Ai nënvizoi se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit. Zyra e shtypit e BE-së në Tiranë njofton se në takimet me Presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, komisioneri Fyle pati shkëmbime të hapura dhe të sinqerta me politikanët shqiptarë rreth prioriteteve të tyre përsa i përket aspiratave të vendit për integrim në BE. “Ai u nënvizoi partnerëve të tij që statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm. Iu takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet”. Komisioneri Fyle përsëriti që KE është i vendosur të forcojë më tej procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së. “I tërë procesi i reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë,” tha Komisioneri Fyle pas takimeve të tij. Komisioneri nënvizoi, gjatë bisedimeve të tij në Tiranë, se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013-s do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit. Ai u bëri thirrje politikanëve të zhvillojnë zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare, të përmirësojnë besueshmërinë dhe reputacionin e institucioneve demokratike dhe të forcojnë përgjegjshmërinë e politikanëve kundrejt qytetarëve shqiptarë. Komisioneri i diskutoi këto çështje edhe me komunitetin ndërkombëtar në Shqipëri, përfshirë edhe përfaqësuesit e OSBE-së.