Tiranë – Ftesa e LSI për tryezë bisedimesh pranohet vetëm nga Nano

Tryeza, e cila do të zhvillohet mesditen e sotme në hotel “Tirana” në qendër të kryeqytetit, është refuzuar jo vetëm nga kreu aktual i PS-së, Edi Rama, por edhe nga krerët e partive, pjesë e koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”. Partia Socialiste i është përgjigjur dje kësaj ftese nëpërmjet kryetarit Edi Rama. “Unë jam plotësisht dakord me largimin e Berishës, por kjo mund të vijë vetëm duke votuar Partinë Socialiste. Madje unë e ftoj Metën të bashkojë votën e tij me ne duke votuar PS-në”, deklaroi kryetari i PS-së. Ndërkohë, kandidati për deputet të PS-së, Saimir Tahiri tha se PS-ja nuk do të ishte e pranishme në tryezë. “Duke shprehur kënaqësinë që edhe Ilir Meta pranoi më së fundi qëndrimin tonë, se largimi i Sali Berishës është një domosdoshmëri, theksojmë se kjo mund të realizohet vetëm duke i bashkuar të gjitha votat për Partinë Socialiste”, u shpreh Tahiri. Ndërkohë që po dje sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Luan Rama është shprehur se iniciativa e ndërmarrë nga Ilir Meta nuk është e vonuar, “pasi asnjëherë nuk është vonë për të qenë pjesë e atyre që kontribuojnë për fitoren e së majtës”.

Advertisement