Kryetari i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa në deklaratën e parë zyrtare tha se, FRD do të jetë parti e qendrës së djathtë, mishëruese e idealeve liberale. “Veprimtaria e parë e FRD-së do të nisë me një fushatë dialogu me mbarë shoqërinë shqiptare me qëllim identifikimin e problemeve reale të funksionimit të demokracisë dhe kohezionit të saj. Në bashkëpunim të ngushtë me forcat më të kualifikuara të shoqërisë, sidomos me rininë, do të përcaktohen dhe zgjidhjet më të përshtatshme të këtyre problemeve që do të përcaktohen në programin elektoral me të cilin FRD do të dalë në zgjedhjet e 2013”, tha Oketa. “FRD vjen si përgjigje e nevojës së shoqërisë shqiptare për moralizimin e politikës. Ajo do të jetë një parti e hapur kombëtare e gjithë qytetarëve të ndershëm, e cila do të shtrihet me strukturat e saj në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. FRD do të vendosë bashkëpunim të qëndrueshëm me diasporën në emër të interesave të përbashkëta për përparimin e kombit shqiptar”, tha Oketa. Kryetari i grupit nismëtar të FRD-së tha se, Kuvendi i partisë që do të mblidhet në vjeshtën e këtij viti do të zgjedhë dhe kryetarin e saj, sipas parimit ‘një anëtar një votë’.