Tiranë | Firmat e ndërtimit nuk bashkëpunojnë për legalizimin dhe hipotekimin

pallate

Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZN-it publikoi sot listën e zezë me 76 firma të ndërtimit që nuk legalizojnë ndërtimet. Nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, dhe drejtori i ALUIZN-it, Ardian Kollozi, u bënë thirrje kompanive të mos pengojnë procesin. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me ALUIZNI-n, ka ngritur një Task-Forcë, e cila ka analizuar rast pas rasti të gjitha ndërtimet që kanë pasur shkelje të lejes. “244 objekte të ndërtuara në Tiranë kanë probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga subjektet që nuk paguajnë taksat e detyrimet e nevojshme, që përcakton legjislacioni, deri tek ato subjekte, që janë pasive, duke mos plotësuar dokumentat tekniko-ligjore. Ekzistojnë të paktën 76 subjekte që janë pasive dhe nuk kanë shfaqur interes për të përfunduar këtë proces”, deklaroi Tabaku. Për të mundësuar përfundimin e procedurave dhe përshpejtuar procesin e legalizimit, Bashkia e Tiranës ka vendosur në shërbim të subjekteve të gjithë dokumentacionin që gjendet në arkivën teknike të Bashkisë. Pavarësisht kësaj, disa subjekte vazhdojnë të jenë indiferente ndaj plotësimit të detyrimeve që kanë përballë qytetarëve. Tabaku pohoi se “68 subjekte nuk kanë plotësuar dokumentacionin tekniko-ligjor dhe nuk kanë shlyer detyrimet financiare, ndërsa 8 subjekte të tjera nuk kanë shlyer detyrimet financiare”. Ajo deklaroi se që nga dita e sotme, të 76 subjektet e mësipërme, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre, do të futet në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me të, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit. Aktualisht në listën e zezë janë dhe 19 subjekte, 13 prej të cilave nuk kanë plotësuar dokumentacionin për t’u pajisur me leje përdorimi dhe 6 të tjera nuk kanë aplikuar për hipotekim.

Advertisement