“Të gjithat akuzat e hedhura në shtyp dhe ngritura ndaj meje edhe nga organi hetimor, ishin sulme të motivuara politikisht”, – ka deklaruar biznesmeni Damir Fazliç. Në konferencën për shtyp lidhur me pushimin e çështjes nga Prokuroria e Përgjithshme, Fazliç komentoi se “vendimi i dha përgjigje gjuetisë së shtrigave dhe duhet të shërbejë si një mësim i mirë për prokurorinë”. “Ina Rama, Prokurorja e Përgjithshme, më ka borxh një ndjesë publike për të gjitha akuzat që ka ngritur ndaj meje dhe bizneseve të mija, të cilat për shtatë muaj me radhë i mbajti nën hetim”, – deklaroi Fazliç. Kurse dha një sugjerim për Ina Ramën: “Më e mira që ajo duhet të bënte, do të ishte që të kishte qëndruar larg politikës dhe të respektonte bizneset e huaja”. Më tej, Fazliç tregoi se “Prokuroria kishte shkuar në çdo vend të botës, për të pyetur për të dhe bizneset e tij, por nuk kishte gjetur asgjë”. Për këtë fakt ai pranoi se ishte i gëzuar që prokuroria e Tiranës dhe veçanërisht dy prokurorët e çështjes kishin mbyllur hetimet. Pas pyetjeve të bëra Fazlliç sqaroi se nuk kishte kryer asnjë transaksion bankar nga Shqipëria për në Zvicër, por në të kundërt, siç tha, nga llogaritë e huaja në drejtim të vendit tonë. Fazlliç ka bërë edhe komente mbi gjëndjen ekonomike në vendin tonë, kur tha në mbyllje të konferencës por shtyp, se i vinte mirë që “pas shumë problemeve ekonomike, ekonomia e Shqipërisë ishte e fortë”.