Kreu i ERE-s, Sokol Ramadani, gjatë diskutimit të raportit vjetor të këtij institucioni, në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u shpreh se, çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë së paku për tre vite për konsumatorët, ndonëse mund të ketë ndryshim të çmimit të energjisë vetëm për operatorët. Sipas tij, niveli i arkëtimeve gjatë vitit 2011 ka qenë 70.58 për qind, ndërsa humbjet në rrjet janë 37.58 për qind. Ndërkohë, raporti i Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2011 është bërë shkak që deputetët e opozitës të braktisin punën e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Ata kanë deklaruar se të dhënat e raportit nuk shkojnë aspak me realitetin, por janë deformuar në mënyrë të qëllimshme. Opozita ka lëshuar kritika të ashpra dhe akuza për situatën negative energjetike në vend. Pas shumë debatesh, deputetët e opozitës kanë braktisur mbledhjen. Ndërkohë, që raporti në fund është miratuar vetëm me votat e mazhorancës.