Tiranë | Ecuria e Shqipërisë drejt BE-së, pritet heqja e imuniteteve

Etore-Sequi1-300x214

“Në vjeshtën e këtij viti KE do të nxjerrë progres-raportin për Shqipërinë ku do të analizohet periudha nga tetori 2011 deri në shtator 2012. Ky progres matet mbi bazën e vendimeve të marra, legjislacioneve të miratuara, apo masave të marra”, tha Sequi. Sipas tij, në këtë progres-raport, “nuk do të merren parasysh ato masa që janë në përgatitje e sipër apo që presin miratimin e parlamentarëve”. “Raporti i progresit do të bazohet mbi informacione, duke përfshirë kontribute nga qeveria e Shqipërisë, shtetet anëtare të KE-së, nga organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha Sequi. Përsa i përket prioriteteve kyçe nga 1 deri 4, Sequi theksoi se, “disa gjëra janë bërë, si emërimi i Avokatit të Popullit, apo votimi me 3/5-at i disa ligjeve. Rishikimet e kodit zgjedhor gjithashtu janë aprovuar tashmë. Dialogu politik ka ecur përpara”. “Miratimi i kodit të ri zgjedhor ishte tepër i rëndësishëm pasi u bë me anë të një procesi tejet konsensual dhe serioz. Sigurisht që këto janë gjëra tejet të rëndësishme, por tashmë duhet të shohim dhe zbatimin e këtij kodi”, tha Sequi. Përsa i përket ndryshimeve që duhen bërë për rregulloren e parlamentit, Sequi nënvizoi se, “presim të shohim dhe përfundimin e saj”. Ndërsa përsa i takon reformës së administratës publike, Sequi theksoi se, “miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative është një zhvillim pozitiv. Megjithatë janë dhe tre ligje të tjera thelbësore që nuk janë miratuar ende”. Përsa i përket prioriteteve 7-9, që kanë të bëjnë me çështjet e drejtësisë dhe shtetit ligjor, Sequi shtoi se, “sot në Kuvend është miratuar ligji për Konferencën Gjyqësore. Ndërsa Ligji për Gjykatën e Lartë është ende i pamiratuar, sistemi i imuniteteve të zyrtarëve dhe gjyqtarëve duhet ndryshuar. Ka pasur zhvillim në luftën ndaj krimit të organizuar falë bashkëpunimit ndërkombëtar, por duhet bërë ende një punë më e mirë për këto çështje. Është e rëndësishme që mazhoranca dhe opozita të bashkëpunojnë me njëra – tjetrën për këto çështje. Përsa i përket prioriteteve 10-12 ku përfshihen çështjet e pronësisë dhe të drejtat e njeriut, Sequi theksoi se, “ka një strategji për reformën e pronësisë që është miratuar, por duhet dhe zbatimi. Për të drejtat e njeriut ka një zhvillim pozitiv përsa i përket të drejtave të grave dhe komunitetit LGBT”. Megjithatë, shtoi Sequi, “mbeten ende boshllëqe për tu rregulluar, pasi ka nevojë për zbatim solid të ligjeve dhe që legjislacioni të jetë seioz. Po ashtu është e nevojshme të bëhen përpjekje në lidhje me gjithëpërfshirjen e komunitetit rom”. Duke e cilësuar këtë një proces të bazuar mbi merita, kreu i BE-së në vendin tonë apeloi për vazhdimin e dialogut mes mazhorancës e opozitës. “Është tepër e rëndësishme që mazhoranca e opozita të vazhdojnë bashkëpunimin për këto çështje të rëndësishme. Mazhoranca dhe opozita kanë mundësinë të bashkëpunojnë, të kenë një dialog konstruktiv”, tha Sequi. Sequi tha se, ende pritet të ketë zhvillime sa i takon çështjes së kufizimit të imuniteteve për zyrtarët dhe se kërkohet bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa heqja e imuniteteve duhet të bëhet sa më shpejt pasi është një hap i rëndësishëm. Ne do të donim reflektim për çështjen e heqjes së imunitetit. Përdorni kohën e mbetur në mënyrën më të mirë. Jo pushim por integrim. Ne kemi mirëpritur konsensusin e arritur dhe dëshirojmë që kjo çështje të finalizohet në kohë. Ne mendojmë se çështja e imuniteteve është tepër e rëndësishme në kuadër të luftës kundër korrupsionit’, tha Sequi. “Në këtë sallë do të mblidhemi në muajin tetor kur do të jem në gjendje t’ju prezantoj konstatimet e raportit të progresit. Statusi i vendit kandidat në Bashkimin Evropian mund të arrihet por për këtë duhet një vendosmëri dhe këmbëngulje. Do të thotë se në masë kritike reformat duhet të kryhen dhe koha është një burim i kufizuar”, u shpreh Sequi.  

Advertisement