Tiranë – Dorëhiqet Omari nga trupi gjykues i “Gërdecit”

Omari refuzoi pjesëmarrjen në këtë trup gjykues për shkak të konfliktit të interesit që ka me çështjen, për shkak se bashkëshortja e tij është avokate në një studio që mbron interesat e një prej të pandehurve të Gerdecit, Ilmi Lacaj. Kreshnik Omari u zgjodh si drejtues i trupit gjykues të çështjes “Gërdeci”, nëpërmjet shortit elektronik të organizuar në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë. Pritet që Gjykata të ribëjë ditët e ardhshme shortin për caktimin e trupit gjykues për të nisur më pas shqyrtimin e çështjes, e cila ka 28 persona të pandehur, pjesa më e madhe e të cilëve ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Shqiptare. Të pandehurit dyshohen si përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit të vitit 2008 në fshatin Gërdec, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve, humbën jetën 26 persona, ndërsa mbetën të plagosur dhjetra të tjerë. Si i pandehur në këtë ngjarje është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ndryshe nga të tjerët, është në procedimin e Gjykatës së Lartë, për shkak të imunitetit.

Advertisement