Tiranë | Dogjani largohet nga PS, do të kandidojë i pavarur

Deputeti Asllan Dogjani, përfaqësues i qarkut të Kukësit në Parlament, ka braktisur sot mbledhjen e grupit parlamentar socialist ndërsa deklaroi në mënyrë demostrative largimin përfundimtar nga gjiri i Partisë Socialiste. Sipas tij, mungesa e demokracisë në parti si dhe mos vlerësimi i kontributit të tij, kanë qenë arsyet që e kanë shtyrë të marrë vendimin për shkëputje nga strukturat e partisë. Dogjani shtoi se një tjetër motiv që ndikoi në këtë vendimarrje personale, ishte edhe përfshirja në listat e kandidatëve për deputetë në qarkun e Kukësit, e personave që nuk kanë dhënë asnjë kontribut në parti, duke shpërfillur kontribuesit e vërtetë. Por gjatë deklaratës për media, Dogjani bëri me dije se nuk do të shkëputet nga politika. “Do të kandidoj si i pavarur me besimin se do të kem mundësinë të mbroj liritë dhe vlerat e demokracisë, ndaj duke kandiduar si i pavarur do të jem pjesë e parlamentit për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e zgjedhësve” theksoi ai. Ndërkaq i pyetur mbi koalicionin e PS-së me LSI-në, Dogjani tha se “kundërshtova vendimin për koalicion me LSI-në pasi shoh se një koalicion i tillë zhgënjen socialistët, qytetarët dhe minon besimin te drejtësia”.

Advertisement