Tiranë | Dita e Jetimëve, politika mbështetjeje për fëmijët jetim

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, premtoi sot më shumë mbështetje dhe vëmendje për fëmijët jetimë, ndërsa shprehu angazhimin në përmirësimin e legjislacionit për të drejtat e tyre. Duke marrë fjalën në aktivitetin e organizuar nga Kuvendi me rastin e Ditës Kombëtare të Fëmijëve Jetimë, Meta tha se një nga treguesit themelorë për vlerësimin e dimensionit njerëzor të një shoqërie, por dhe për të përcaktuar standardin europian të saj ka të bëjë në radhë të parë me të drejtat e fëmijëve, sidomos të atyre jetimë. Ai apeloi për më shumë vëmendje, më shumë vendimmarrje e më shumë solidaritet njerëzor, por dhe për më shumë politika solidare, përfshirëse dhe integruese në shoqëri, të fëmijëve jetimë. Ndërsa Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të angazhohet për ndërmarrjen e politikave mbështetëse për integrimin e jetimëve. Rama tha se problemet me të cilat përballen sot jetimët janë të shumta dhe nuk janë krijuar në në ditë. Duke vënë theksin në faktin se në qendrat rezidenciale të jetimëve kushtet janë të vështira, Rama shprehu angazhimin e qeverisë pë përmirësimin e kushteve të tyre dhe përafrimin me kushtet e fëmijëve të tjerë. Kreu i qeverisë theksoi gjatë fjalës së tij se shoqatat dhe organizatat e ndryshme kanë luajtur një rol të madh në mbështejten e fëmijëve jetim.

Advertisement