Tiranë – Dialogu politik do të zhvillohet të shtunën

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Presidencës, sipas të cilave kjo ditë është zgjedhur nga kreu i shtetit për të zhvilluar negociatat e premtuara mes palëve për shkrirjen e akujve që mbajnë të ngrirë marrëdhëniet institucionale mes palëve. “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt 2010 në orën 11.00, në selinë e Presidentit në vijim të takimeve me kreun e delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, si dhe me ambasadorin e SHBA-ve në vendin tonë, Xhon Uithers II. Por edhe pas kontakteve me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama”, thuhet në deklaratën e publikuar nga institucioni i Presidencës lidhur me një fakt të tillë. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit ka caktuar pikën e takimit mes palëve për të gjetur rrugën e duhur drejt zgjidhjes së krizës politike, kusht ky i vënë tashmë edhe nga ndërkombëtarët, të cilët paraqiten të interesuar për zhbllokimin e situatës së rënduar.

Advertisement