Taulant Balla shprehet se Partia Socialiste është gati të heqë imunitetin për çdo deputet që kërkon Prokuroria, por shton se ai që duhet të shkojë para gjyqit është Sali Berisha dhe Lulzim Basha i cili, asokohe ishte Ministër i Brendshëm. Nga ana e tij deputeti Tom Doshi shprehet se ka qenë në protestë dhe ka protestuar paqësisht duke shtuar se ka dhënë kontributin e tij për të qetësuar protestuesit. “Çdo hap i imi është filmuar dhe është transparent, dhe tashmë Prokuroria i ka gjetur vrasësit ordinerë, por duhet të gjejë vrasësit me pushtet. Kur vrau kreu i Gardës së Republikës, urdhra ka dhënë Kryeministri”, shprehet Doshi. Më herët tre deputetë socialistë u identifikuan sot me emër nga Prokurorja e Përgjithshme si organizues të protestës së paligjshme më 21 janar 2011. Në daljen për mediat, Ina Rama tha se për deputetët socialistë Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Tauland Balla, Prokuroria ka kërkuar të hiqet imuniteti që të kryhen hetime të mëtejshme. “Me veprimet e tyre gjatë zhvillimit të kësaj proteste kanë konsumuar veprën penale të nenit 62 të Kodit Penal për organizim tubimesh të paligjshme”, tha zonja Ina Rama. Kurse shtoi se “këta deputetët të Kuvendit, kanë pasur një rol drejtues në veprimet e dhunshme të protestuesve”.