Tiranë | Dekretohen ndryshimet në qeveri

alt

Sipas njoftimit zyrtar nga institucioni i Presidencës, Topi dekretoi shkarkimin e z. Petrit Vasili nga detyra e ministrit të Shëndetësisë, të z. Nasip Naço nga posti i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të z.Edmond Haxhinasto, nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme. Gjithashtu, Kreu i shtetit dekretoi emërimin e z. Flamur Noka në postin e ministrit të Brendshëm; të z.Vangjel Tavo, në postin e ministrit të Shëndetësisë; të z. Edmond Haxhinasto, zv/kryeministër, në postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si dhe të z. Edmond Panariti, në postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Të shtunën kryeministri Sali Berisha emëroi deputetin demokrat Flamur Noka në postin e ministrit të Brendshëm, post i mbetur vakant pas zgjedhjes së z.Bujar Nishani si president i ri i vendit. Po ashtu, përveç emrit të z. Noka, kryeministri i dërgoi presidentit të Republikës për dekretim dhe emrat e tre ministrave të tjerë të propozuar të premten nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministër i Jashtëm i vendit u propozua Edmond Panariti, nënkryetar aktual i Bashkisë së Tiranës, ndërsa ministri aktual Edmond Haxhinasto kalon tek ministria e Ekonomisë. Në ministrinë e Shëndetësisë LSI propozoi z. Vangjel Tavo, i cili zëvendëson z. Petrit Vasili, i rikthyer për të mbuluar funksionet partiake. Jashtë kabinetit qeveritar mbetet ministri i Ekonomisë Nasip Naço, i cili pritet të rimarrë funksionin e nënkryetarit të parlamentit.