Tiranë | Debate në Kuvend, replika e akuza mes Tahirit e Berishës

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën e rradhës. Në seancë po diskutohet në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Durrës, kur një nxënës shkolle qëlloi me armë dhe vrau bashkëmoshatarin e tij.
Ish-Kryeministri Berisha: festuat 29 Nëntorin me fotot e Hitlerit të Europës
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar mazhorancën se ka poshtëruar shqiptarët duke ngritur portretin e Enver Hoxhës, më 29 Nëntor. Duke folur në seancën plenare, Berisha theksoi se qeveria përdhosi gjakun e dëshmorëve duke ngritur portretin e Hitlerit të Europës së pasluftës. “Denoncoj aktin e shëmtuar të kësaj mazhorance, ditën e flamurit, ditën e pavarësisë, përdhosjen që i bënë gjakut të dëshmorëve, martirëve të lirisë, shqiptarëve dhe kombit në tërësi me porteretin e Hitlerit të Europës së pasluftës, Hitlerit shqiptar, Enver Hoxhës që ngritën për herë të parë pas 20 vitesh. Festuat ditën e tradhëtisë më të madhe kombëtare. 29 nëntori shënon për kombin shqiptar datën e tradhëtisë, ditën që enver hoxha njehësoi festën me serbet për të hapur siparin e procedurave për bashkimin e Shqipërisë me federatën Jugosllave. Ngritja e flamurit të Enver Hoxhës, tek varrezat e Dëshmorëve ishte poshtërimi më i madh. Enver Hoxha e bëri luftën dhe këtë se mohon askush. Ata që përpiqet që të paraqesin demokratët se mohojnë luftën, mashtrojnë. Enver Hoxha, pas luftës vendosi në Shqipëri sistemin e tij. Ju ngritët flamurin, por përdhosët gjakun e të rënëve për demokraci. Ju përdhosët vuajtjen, sakrificën e mijëra shqiptarëve, në burgje dhe kampe përqendrimi, për lirinë e fjalës, lëvizjes. Shkërmoqët shpirtin e qindra shqiptarëve që vdiqën urie nga Vermoshi në Frashër” tha Berisha. Sipas tij, me ngritjen e protretit të Enver Hoxhës Rama dhe shumica përdhosi nëntorin dhe festat e tij. “Kur unë thosha që ky zotëri kishte at shpirtëror Enver Hoxhën, ju nuk e besonit, se dilte edhe me citjane ndonjëherë. Po ja ku përdhosi facebook-un duke shpërndarë në të katër anët e botës portretin e Enver Hoxhës”- tha Berisha.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri: cuni i babit bënte biznes me demontim armësh
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar se do të sjellë në qeveri e më pas qeveria në Kuvend, dy projektligje për armët dhe përdorimin e tyre për t’i dhënë fund kapitullit më të zi në historinë e sigurisë publike në vend. Duke iu referuar vrasjes së djeshme të gjimnazistit në Durrës, Tahiri e quajti të turpshëm reagimin e opozitës dhe të disa deputetëve që shkuan të bëheshin pëllumba duke u rritur mbi fatkeqësi të tilla. “Dita e djeshme ishte një ditë e trishtë për të gjithë ne dhe për shoqërinë në tërësi. Vrasja e një adoleshenti nga një bashkëmoshatari i tij na nxorri para syve një fëmijë të vrarë dhe një tjetër që iu dorëzua krimit tamam në vendin ku do të dilnin të shkolluar për tu bërë qytetarë më të mrië. Por më e trishtë u bë dita pasi dolën disa sorra që donin të bëheshin pëllumba duke u rritur mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Reagimi i ca deputetëve të opozitës por edhe vetë zëdhënësit të Partisë Demokratike Lulzim Basha ishin shumë larg të qënit serioz për një parti dhe humane për një grupim kaotik njerëzish. Për hirë të vërtetës kryetari juaj jo kryetar edhe dje por edhe sot këtu, nuk e zuri në gojë ngjarjen dhe u tregua më i ndershëm se ca të tjerë si ju që u lëshuar si karkaleca mishngrënës që ulërinin më shumë se vetë dhimbja e familjes. Policia e shtetit e ka bërë detyrën gjatë këtyre dy muajve, kjo është e dallueshme përvec syve të errësuar që lëpijnë sot zëdhënësin se duan më shumë kryetarin jokryetar se duan më të shumë se shtetin ligjor. Puna e policisë për të kapur autorin s’mund të mjaftojë, nuk mjafton si prind e as si anëtar i qeverive, por kush e kërkon sot fajin te policia sapo i ka vënë shkelmin ti shkojmë ngjarjes në themel. Nëse doni probleme flisni si duhet, por mos u merrni me shirtin që ju vë Berisha në gojë, vendi është i militarizuar nga armët, që nga viti 1997 ky njeri e la trashëgimi përhapjen e armëve të zjarrit, sa sot plumbat dhe armët janë alternativa e parë për të zgjidhur konflikte banale” tha Tahiri. Ai ka akuzuar ish kryeministrin Berisha për gjëndjen në të cilën ndodhet sot rendi dhe siguria në vend, për përhapjen e frikshme të armëve në vend, madje edhe për modelin që u promovua te shqiptarët, qoftë për pasurimin e shpejtë, qoftë për mosndëshkimin e krimit. “Cuni i babit bënte biznes me demontim armësh, hidhte në erë një fshat të tërë, shkaktonte viktima dhe nuk pësoi asgjë, madje babi e mbronte mu në mes të Parlamentit” tha Tahiri.
Menjëherë ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha duke e cilësuar deklaratën e ministrit të brendshëm Tahiri si ligjëratë të turpshme. Ai ftoi Kuvendin në një minutë heshtje për viktimën e Shkozetit, por në këmbë janë ngritur vetëm deputët e opozitës dhe jo të mazhorancës.

Advertisement