Tirane – Debate ne Kuvend per tragjedine e Gerdecit

Në prag të një vjetorit të tragjedisë së rëndë të Gërdecit, Kuvendi sot ka shpërthyer në akuza të ndërsjella nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj dhe kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli. Pas fjalës së Leskaj që akuzoi kryeministrin Berisha se nuk ka kurajo për ndjesë publike dhe fshehu të vërtetën mbi Gërdecin, i menjëhershëm ka qënë reagimi i Topallit që përmendi për herë të parë administratorin e fabrikës së armëve në Gërdec, duke kerkuar shpjegime se pse nuk i ishte hequr leja e ndertimit nga kryetari i bashkise se Tiranes. “Sa leje ndërtimi ka Delijorgji nëpër Tiranë që Edi Rama ia ka lënë ende në funksion. Pyet kryetarin zonja Leskaj. Pse nuk i hiqet leja e ndertimit të dhëna nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për Delijorgjin? Pse Delijorgji nuk është përmendur asnjëherë në këtë sallë?”, tha Topalli. Replika vazhdoi me tej me deklaratën e Leskaj që kërkoi me insistim fjalën dhe tha “Në qoftëse keni informacione dhe nuk i keni cuar në prokurori, atëhere jeni bashkëpuntore në krim”. Me rastin e 15 Marsit 2008, ngjarjes së rëndë që u shënua në Gërdec ku humbën jetën 26 persona, u plagosën mbi 300 të tjerë si dhe u shkatërruan shtëpi dhe biznese, opozita ka realizuar protesta paqësore. Protesta do zhvillojnë dhe vetë banorët e Gërdecit e Marqinetës që u prekën nga tragjedia.
Advertisement