Tiranë | Debate Bizhga-Nishani për uniformat e policisë së shtetit

Kuvendi-i-Shqiperise

Në fjalën e tij, në interpelancën me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, Bizhga ka theksuar se “veç problemeve me koston dhe tenderët, duhet sqaruar dhe ndryshimi i modelit të uniformave, gjë që duhet të ishte bërë më vendim qeverie”. Ai ka kërkuar sqarime dhe për procedurat financiare dhe vlerën monetare që është përdorur për uniformat e shtetit. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u është përgjigjur akuzave duke u shprehur se simbolet e uniformave, ngjyra dhe shenjat janë miratuar nga një grup ekspertësh i vet Drejtorive të Policisë dhe të Akademisë së Rendit. “Për herë të parë në historinë e Policisë së Shtetit në vitin 2008, policia nisi punën për stilizimin dhe përcaktimin e modeleve të uniformës së saj. Ishte një adaptim i uniformës aktuale të shtetit edhe në ngjyrë dhe nuk kishte të bënte me ngjashmëritë e uniformës së policisë italiane. Gradat, flamuri, stemat janë në përputhje me rregullat”, tha Nishani. Ai u shpreh se gjithë procedurat dhe tenderët e ndjekur janë brenda afateve. “Uniformat aktuale janë shpërndarë në vitin 2006. Një kohë shumë e gjatë për një uniformë. Në vitin 2009 ka pasur procedura për uniforma të reja, të cilat kanë dështuar për shkak të parregullsive”, tha Nishai. Ndërkohë që Bizhga u shpreh më pas se uniforma e policisë shqiptare “është një imitim i asaj italiane. Kjo gjë pranohet edhe me mburrje nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit”.

Advertisement