Tiranë | Dade: qeveria e ka bërë Shqipërinë antiperëndim

Deputetja socialiste Arta Dade ka kritikuar me tone të ashpra votën kundër që delegacioni parlamentar i mazhorancës qeverisëse të PD-së ka dhënë në Asamblenë Parlamentare të KiE kundër rezolutës për të përndjekurit politikë. “Shpreh keqardhjen e thellë dhe indinjatën që pjesa e delegacionit shqiptar e drejtuar nga Sali Berisha u bë palë në sulmet që i bëhen të përndjekurve politikë, duke shkelur njëherazi të drejtat themelore të njeriut. Kjo përkon me presidencën që Shqipëria ka për këshillin e ministrave të këshillit të Europës dhe nuk i bën nder kësaj presidence, aq më tepër që ka ende angazhime të cilat i ka marrë përpara botës së qytetëruar”, është shprehur deputetja socialiste. Sipas Arta Dades, Shqipëria vazhdon të monitorohet nga Këshilli i Europës dhe kjo është një arsye shumë e fortë dhe një rast i paprecedent, kur një vend që pret të marrë statusin e vendit kandidat në BE vazhdon monitorohet në kollonat kryesore të demokracisë. “Opinioni publik i ka pasur të qarta vërejtjet e qenësishme që Këshilli i Europës dhe personalitete të fuqishme përfaqësues të tij, i kanë bërë Shqipërisë në mënyrën sesi ka adresuar ngjarjet e 21 janarit, por edhe problematika mjaft serioze me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike”, ka theksuar Dade. Deputetja socialiste e ka lidhur këtë qëndrim të mazhorancës edhe me sjelljen neglizhuese ndaj grevës së urisë të ish-të përndjekurve politikë. “Shitja antiperëndimore e kësaj pjese të maxhorancës së delegacionit shqiptar, shënon një hap tjetër regresi kundër të drejtave të njeriut dhe aq më tepër neglizhim të angazhimeve që Shqipëria ka në respekt edhe të grevës së të përndjekurve politikë, të cilët dje shënuan dhe një akt të paprecedent të vetëflijimit”. Në përfundim të deklaratës, deputetja socialist është shprehur se PS do të kërkojë në Parlament shpjegime zyrtare nga ana e përfaqësuesve të delegacionit që votuan kundër rezolutës së KiE për përcaktimin e statusit të të përndjekurve politikë si dhe do të vijojë të denoncojë të gjitha sjelljet antiperëndimore e antiintegruese të kësaj mazhorance.  

Advertisement