Tiranë | Catherine Ashton jep mesazhin e një pritshmërie të lartë

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Catherine Ashton, në një konferencë për mediat kërkoi që zgjedhjet të jenë në përputhje me standartet europiane dhe ato ndërkombëtare. “Ky do jetë një test për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit dhe progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE-së”, u shpreh Baronesha Catherine Ashton. Ashton tha se vizita e saj në Shqipëri erdhi një ditë pas diskutimeve të nxehta në parlament për përgatitjen e zgjedhjeve. “Ne i kemi ndjekur vërtet nga afër këto diskutime dhe sot unë e kam bërë pozitën time të qartë për të gjitha palët. Për BE-në është e një rëndësie thelbësore që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato europiane dhe ky do jetë një test për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit dhe progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE-së”, theksoi zyrtarja europiane. “Ne shprehëm publikisht dje shqetësimin për pasojat e mundshme të votimit në parlament, tek besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor. Është përgjegjësia e të gjithë politikanëve që të sigurojnë pavarësinë e institucioneve. Dhe që institucionet të gëzojnë besimin e të gjithëve, duhet të kenë besim tek ky proces. BE është e angazhuar për të mbështetur një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, të bazuar në standarde europiane dhe ndërkombëtare”, tha ajo. Më pas, kryediplomatja e BE-së vuri në dukje progresin e Shqipërisë gjatë viteve të shkuara. “Shqipëria është sot një vend anëtar dhe i vlerësuar i OKB-së, i OSBE-së, i KiE dhe NATO-s. Po ashtu, BE është vërtet e përkushtuar ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe dëshiron që ajo të ecë përpara me një ritëm të mirë. Por, progresi drejt rrugës në BE është në duart tuaja. Elementët kyç për progres janë një dialog i mirëfilltë dhe konstruktiv i të gjitha partive politike, si dhe vullneti për të gjetur kompromiset”, theksoi Ashton. Ajo nënvizoi se BE ka nevojë të shohë në Shqipëri një histori të qëndrueshme, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. “Komisioneri Fyle është tërësisht i angazhuar për t’ju ndihmuar në axhendën tuaj të reformës dhe për këtë ka mbështetjen time të plotë”, nënvizoi Ashton. Duke vënë në dukje rolin e vlerësuar të Shqipërisë në rajon, ajo theksoi nevojën e shmangies së diskursit nacionalist. “Lipset që Shqipëria të vazhdojë rolin tradicional të një aktori të ndershëm dhe konstruktiv në rajon. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj në përpjekjet tona të vazhdueshme për të stabilizuar rajonin dhe për të na mbështetur të ecim përpara. Kam besim që Shqipëria e ka kapacitetin që t’i trajtojë këto sfida e të ecë përpara në mënyrën e duhur”, theksoi Baronesha Ashton. “Ndaj, vijoi ajo deklaratën, mesazhi im për ju është një mesazh mbështetje, por dhe një mesazh i një pritshmërie të lartë. Si një vend potencialisht kandidat Shqipëria duhet të marrë përsipër këto sfida dhe të ecë përpara. BE është pranë jush për t’iu ndihmuar”, përfundoi deklaratën e saj në Tiranë, znj. Ashton.

Advertisement