“Në 2005 qeveria e Sali Berishës u premtoi shqiptarëve se do të udhëtonin pa viza në hapësirën Shengen që në vitin 2006, por Raporti i fundit i Komisionit Europian na bën të qartë si drita e diellit se qeveria e tij ka dështuar në përmbushjen e standardeve” tha Bushati. Më tej ai ka cituar dhe raportin e Komisionit Europian. “Raporti i Komisionit Europian konfirmon se qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kryesisht në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe komunitetit rom. Qeveria e Berishës mban përgjegjësi direkt për klimën konfliktuale e paditë penale nga eksponentë të mazhorancës ndaj prokurorisë së përgjithshme në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, duke penalizuar kështu shqiptarët nga përfitimi i një regjimi pa viza, siç pritet të ndodhë me qytetaret Maqedon, Serb e Malazez” shtoi më tej në deklaratën e tij Bushati. Ai shtoi se “qeveria jonë e pas 28 qershorit do të jetësojë ëndrrën evropiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet te gjitha standardet. Lëvizja e lirë brenda hapësirës Shengen do t’i krijojë mundësi të jashtëzakonshme studentëve dhe kërkuesve shqiptare për të përfituar nga programet e shkëmbimit me universitetet europiane, do ti krijojë mundësi sipërmarrësve shqiptarë të eksplorojnë tregun rajonal dhe atë evropianë, duke konkurruar denjësisht me shërbimet e tyre”.