Tiranë – Bushati, qeveria Berisha 2 strehon të kërkuarit nga drejtësia

“Sali Berisha pagëzoi qeverinë e vazhdimësisë së punëve të këqija që strehon dy të kërkuar nga drejtësia dhe tre të kërkuar nga populli opozitar. Në të njëjtën kohë ai dezinformoi opinionin publik në lidhje me kërkesat legjitime të opozitës që kushtëzojnë marrëdhëniet tonë me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet e dala prej tij. Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshihet më kokëfortësi pas gjoja procedurave ligjore dhe parimit të ndarjes së pushtetit për mos hapjen e kutive të dyshuara të 28 qershorit, pasi opozita nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë, por respektimin e një detyrimi kushtetues, ligjor e moral që qëndron në themel të sistemit të demokracisë dhe lirisë që është: transparenca e plotë për votën e sovranit” deklaroi Bushati. “Qeveria nuk mund të garantojë luftë kundër krimit të organizuar për sa kohë bashkëpunoi me krimin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk pranon hetimin e të vërtetës në lidhje me përdorimin e të burgosurve në shërbim të fushatës së saj zgjedhore. Shqipëria e sapo anëtarësuar në NATO dhe që troket në dyert e BE-së nuk mund të prodhojë qeverisje legjitime që lind nga një vullnet i deformuar zgjedhor dhe nga përcaktimi i sinorëve të pushtetit mes krushqve qeverisës. Sot, opozita është më e vendosur se kurrë në mbrojtje të lirisë së votës së cenuar dhe do të luftojë me çdo mjet demokratik në mbrojtje të saj” përfundoi Bushati.

Advertisement