Tiranë | Bushati: PD është kthyer në zëdhënëse të pasigurisë

“Qeveria e re i ka dhënë 97% të punonjësve më shumë siguri e më shumë të ardhura përmes uljes së ndjeshme të taksave”, deklaroi Sekretari për Çështjet Ekonomike në Partinë Socialiste, Ervin Bushati. Ndërsa kujtoi realitetin, sipas tij tejet të zymtë kur vendi qeverisej nga demokratët, ku papunësia arriti kulmin, ekonomia u zhyt në krizë dhe korrupsioni lulëzoi ngado, Bushati foli për një realitet aktual dhe fytyrë krejt tjetër të qeverisjes. “Biznesi i vogël sot paguan më pak, ndërkohë që biznesi i madh ka gjetur një partner tek qeveria. Të dhënat nga doganat dhe tatimet janë inkurajuese dhe shifrat japin optimizëm se Shqipëria ka filluar të ketë progres. Në vijim të deklaratës ai tha se “Partia Demokratike është kthyer në zëdhënëse të pasigurisë, duke kërkuar të mbjellë frymën e pasigurisë kudo. Gënjyen në dhjetor kur thanë se çmimi i karburantit do të rritej, por në fakt çmimi u ul. Deshën të mbillnin pasiguri kur pretendonin se çmimi i bukës do të shtrenjtohej, por në fakt çmimi nuk ndryshoi. Sot dhe dje kanë vënë kujën se gjoja do të rriten taksat, por realiteti është ndryshe”. Sipas PS-së, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje të ndjeshme ekonomike dhe progres në vitet që do të vijnë.

Advertisement