Integrimi i vendit në Bashkimin Europian dhe një prezencë të re të Shqipërisë në rajon, këto janë dy objektivat themelore të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një takim prezantues me stafin e institucionit që ai nisi të drejtojë. Pasi falenderoi gjithë punonjësit e Ministrisë së Jashtme për punën e kryer deri tani, Bushati e vuri theksin tek disa nga prioritetet e politikës së jashtme që tashmë janë të përfshira në programin e Qeverisë së re, duke nënvizuar se objektiv kryesor mbetet integrimi i vendit në Bashkimin Europian dhe një prezencë të re të Shqipërisë në rajon. Pas takimit prezantues me stafin, Ministri Bushati zhvilloi një takim të veçantë me drejtorët e MPJ-së, ku u njoh me punën dhe kompetencat e çdo drejtorie, me aktivitetet më të afërta të MPJ-së, por edhe me problematikën e Ministrisë së Jashtme dhe sfidat e ardhshme. Ministri Bushati në këtë takim prezantoi dhe kabinetin e tij. Një staf krejtësisht të ri, të edukuar në shkollat perëndimore, që pritet të sjellë një energji të re në punën e diplomacisë.