Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun e këmbimit, për të frenuar zhvlerësimin e monedhës kombëtare, lekut. Drejtuesit e agjencive valutore bëjnë të ditur se ditën e sotme banka ka shitur një sasi të konsiderueshme valute me qëllim shtimin e saj në qarkullim. Ky veprim synon të ekuilibrojë deri diku kërkes-ofertën në tregun e këmbimit dhe të balancojë vlerën e monedhave. Si pasojë euro ka pësuar një rënie prej 0.5 lekëve kundrejt ditës së djeshme. Rënie ka pësuar edhe dollari si pasojë e ecurisë së bursave ndërkombëtare, në këto të fundit euro është forcuar duke u këmbyer me 1 dollar e 29 cent. Agjentët në tregun e këmbimit shpjegojnë se gjatë ditëve të ardhshme, pritet një rënie e mëtejshme e euros për shkak së ndërhyrjes në treg të Bankës së Shqipërisë. Gjatë muajve të fundit leku është zhvlerësuar ndjeshëm kundrejt valutave, një situatë që ka rënduar të gjithë qytetarët që kanë marrë kredi në valutë, por edhe konsumatorët të cilët po përballen me rritjen e çmimeve në treg, si pasojë e shtrenjtimit të importeve.