Në një konferencë për shtyp, ministrja e Integrimit, deklaroi se pas akuzave ndaj familjes së saj për bashkëpunim me kreun e organizatës kriminale, “Sacra Corona Unita”, Albino Prudentino, i prangosur tri ditë më parë në Vlorë, është e vendosur ta denoncojë akuzuesin e saj në prokurori. “Edi Rama më ka vënë mua në qendër të akuzave, të cilat janë qesharake dhe të turpshme, pasi ligji nuk më detyron mua të jap llogari për bizneset e kunetërve të mi”, tha zonja Bregu duke theksuar se kryesocialisti Rama i lëshon akuzat ndaj saj pasi ka frikë nga përfitimet e tij korruptive me 20% dhe nga përballja për të gjitha akuzat me prokurorinë. Ministrja e Integrimit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat se e motra e saj, Ornela Bregu dhe bashkëshorti i saj Ervis Gjeçaj kanë lidhje biznesi me kreun e organizatës kriminale, Albino Prudentino, duke sqaruar mediat se “Motra ime dhe bashkëshorti i saj nuk kanë asnjë lidhje biznesi me personin e arrestuar, Albino Prudentinon, por me Angelo Prudentinon, i cili sipas çertifikatës së lëshuar nga ministria e Drejtësisë italiane para se të hynte në marrëdhënie biznesi, rezulton të jetë negative sa i përket precendetëve penalë, e mjaftueshme kjo për të gjithë biznesmenët për të hyrë në biznes”, bëri me dije zonja Bregu. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha ndërkohë se gazetarët që kanë publikuar lajmin mbi këtë bashkëpunim të rremë, kanë modifikuar edhe të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ku sipas saj procedurat e shitjes së 80% të aksioneve është një procedurë krejt normale. Sipas akuzave thuhet se motra e ministres Ornela Bregu dhe bashkëshorti i kësaj të fundit Ervis Gjeçaj kanë qenë bashkëpunëtorë të Angelo Prudentinos në kompaninë “Betting System Albania”, me 20% aksione, ndërsa 80% i kishte Angelo Prudentino.
Previous article
RELATED ARTICLES


