Tiranë | Bregu fton opozitën të bashkëpunojë për përmbushjen e reformave

Në fjalën e saj, ministrja Bregu kërkoi bashkëpunimin e opozitës për përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga Brukseli deri më datën 20 nëntor, ndërkohë që zgjedhjet e 2013-s janë një parakusht për hapjen e negociatave me BE-në, për Shqipërinë. “Punuam që Plani i Veprimit të kishte opinione të përbashkëta. Propozimi për statusin e BE-së bazohet në meritë. Statusin nuk e merituam dy vite më parë, se politika e dëmtoi procesin. Plani i veprimit për integrimin do të vijojë të monitorohet prandaj dhe kërkoj nga ju zbatimin e detyrimeve të Plan-Veprimit”, iu drejtua ministrja Bregu deputetëve socialistë në komision. Ajo ftoi opozitën të miratojë ligjin “Për Gjykatën e Lartë”, “Për nëpunësin civil” dhe reformën parlamentare, tre kushtet e vendosura nga Brukseli në progres raportin e fundit për Shqipërinë. Sipas Bregut, zgjedhjet e 2013-s janë një parakusht për të testuar besueshmërinë e palëve politike. “Shqipëria duhet të kthejë besimin tek zgjedhjet parlamentare”, theksoi ministrja gjatë raportimit të sotëm në komisionin e Integrimit.  

Advertisement