“Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës që përmban afatet dhe përgjegjësitë respektive të çdo institucioni lidhur me pyetësorin”, tha Bregu. Sipas saj, në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, dhe 13 institucione të pavarura duke përfshirë edhe Parlamentin. Institucionet në varësi të ministrive nuk janë llogaritur, d.m.th. Departamenti i Administratës Publike nuk është numëruar si institucion më vete, por si pjesë e Ministrisë së Brendshme. Ose, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konsiderohet si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Numri i institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45. Ky numër mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për Pyetësorin. Deri më tani janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej. Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel Ministrash, ndërkohë qe administrata do te jete e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori. Ndërkaq, është riorganizuar e gjithë Ministria e Integrimit për koordinimin dhe monitorimin e këtij procesi, paralelisht me strukturat në misionin tonë në BE dhe delegacionin e KE-së në Tiranë.