Këshilltari i LSI-në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari, në një deklaratë për mediat, bëri të ditur se grupi i këshilltarëve të kësaj partie në këtë këshill, ka propozuar rivendosjen e emrit rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit” në Tiranë, e cila u hoq para rreth dy vjetësh nga bashkia për t’u zëvëndësuar me një emër tjetër. “Nesër është 4 shkurti, dita ku 70 vjet më parë populli i Tiranës përjetoi një ndër masakrat më të mëdha, përjetoi terrorin e pushtuesve nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por Tirana dhe banorët e saj nuk harrojnë”, tha Braimllari, duke shtuar se “ne nuk harrojmë që Shqipëria e sotme i ka rrënjët te Lufta Nacional Çlirimtare, te gjaku i dëshmorëve, tek sakrifica e popullit antifashist dhe liridashës”. “Në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificat e popullit të Tiranës, që mbështeti pa asnjë rezervë luftën Nacional Çlirimtare, në shenjë nderimi dhe mirënjohje të veçantë për ato që u masakruan 70 vite më parë nga terrori gjakatar i 4 shkurtit, grupi i këshilltarëve të LSI-së në këshillin bashkiak të Tiranës i ka dërguar Këshillit Bashkiak propozimin për të rivendosur emrin Rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit” dhe ngritjen e një memoriali në emrat e të gjithë të pushkatuarve”, tha Braimllari.