Deklaratën e bëri sot, në emër të Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Ai tha se vota e lirë dhe e ndershme është themeli i çdo institucioni, ndaj për ne vota është e shenjtë. “Qeveria e bërë me vota të vjedhura është e papranueshme dhe transparenca për çdo votë është detyrim kushtetues”, tha më tej Braçe, duke hedhur akuza ndaj Partisë Demokratike. Ndaj përfundimisht, duam të themi se ne jemi të vendosur të mos njohim rezultatin e këtyre zgjedhjeve pa u bërë transparente çdo vote e hedhur në Berat, Tiranë e Shkodër. Ai akuzoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shkatërron të gjithë garantët që kodi zgjedhor i kishin dhënë opozitës apo minorancës qoftë në KQZ apo në politikë, për të bërë transparente çdo votë, për të numëruar drejt çdo votë”. Për PS, garantët që ishin vendosur përmes konsensusit në kodin zgjedhor, janë shfuqizuar dhunshëm nga KQZ. “Ne kemi fituar kauzën, tha Braçe, i kemi treguar gjithë Shqipërisë dhe ndërkombëtarëve, se Sali Berisha na vodhi për 5 ditë mandatin e Fierit dhe po bën prej 14 ditësh të njëjtën gjë me mandatin e Beratit. Duke përfunduar, Braçe, tha se numrat e zgjedhjeve tregojnë qartë se qoftë edhe një mandat i vjedhur, hedh në erë të gjithë rezultatin e zgjedhjeve, legjitimitetin e zgjedhjeve si dhe legjitimitetin e Parlamentit.