Kështu e ka komentuar në një konferencë për shtyp deklaratën e bërë dy ditë më parë nga kryeministri Berisha për fazën e fundit të privatizimeve, deputeti socialist, Erjon Braçe. “Urdhri i fundit i kryeministrit dëshmon për thellimin e krizës ekonomike në vend dhe përhapjen e gjerë të saj, boshatisjen e pa precedent të arkës së shtetit, mungesën kronike të parave për funksionet kushtetuese e administrative të shtetit, si edhe mungesën e parave për përmbushjen e detyrimeve ligjore për paga e pensione etj”, e komentoi deklaratën e kreut të qeverisë për privatizimet, deputeti Braçe. Sipas tij, ai paralajmëron për dështimin përfundimtar të qeverisë Berisha dhe Meta në përballimin e krizës ekonomike, mungesën e një plani serioz, të qartë dhe të efektshëm, shpëtimi të ekonomisë së vendit, në rrënim prej krizës dhe vendimmarrjes së tyre të korruptuar si edhe nisjen e një vale të re grabitjeje të pasurisë publike që nuk shpëton ekonominë e vendit por pa asnjë mëdyshje do të pasurojë edhe me familjet në pushtet. “PS vlerëson se, të nxjerrësh në shitje gjithë pasurinë kombëtare të vendit duke përfshirë edhe tokën, në kushtet e krizës ekonomike, nuk është thjesht mungesë vizioni, por një krim i qëllimtë për të shitur e blerë më të lirë, nisur nga qëllime korruptive e përfitime të mëdha personale, në ikje e sipër!”, përfundoi deklaratën e tij Braçe.