Deputeti socialist thirri sot në një interpelancë në Kuvend ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi nga i cili kërkoi shpjegime për borxhin publik për rrugët, i cili sipas Braçes “është tërësisht në kurriz të qytetarëve”, ndërsa vetëm për vitin 2011 “përllogaritet në rreth 564 miliardë lekë”. “Nevoja elektorale para zgjedhjeve të 2009, e shtynë qeverinë të hapte mbi 100 kantiere në vend, të cilët edhe sot janë ende të hapura. Pushtetin vërtetë e mbajtët, por jo nga kantierët, ata nuk janë mbyllur. Sot është i verifikueshëm dëmi që keni bërë. Ju nuk kishit para në 2008, por borxh shumë të lartë publik, 54.8%, që në fund të 2009, arriti në 58.6%. Ju detyruat ndërtuesit të punonin me paratë e tyre, ndërkohë që pjesa tjetër u mor borxh nga ata në banka me interesa të larta”, tha Braçe.