Tiranë – Bosch, roli i policisë tepër i rëndësishëm për zgjedhjet

Deklarata vjen nga ambasadori i OSBE në Tiranë Robert Bosch, I cili ndodhej sot në Policinë e Tiranës ku mori pjesë në një seancë trajnimi të forcave të policisë për zgjedhjet e 28 Qershorit. Duke i cilësuar zgjedhjet si shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, Bosh iu drejtua policëve se “kjo nuk do të thotë që të lihet pas dore lufta kundër krimit të organizuar”. Duke iu referuar raporteve për punën e policisë në proceset e fundit zgjedhore Bosch tha se në 2005 policia nuk ndërhyri në zgjedhje, kurse në procesin e 2007 roli i Policisë ishte profesional. Ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch duke shprehur vlerësim për rolin e policisë së shtetit deklaroi edhe një herë se “të gjithë duhet të sigurojmë që këto zgjedhje të jenë më të mirat”. Kjo është deklarata e dytë e kreut të misionit të OSBE në vendin tonë brënda dy ditësh për rëndësinë e madhe të zgjedhjeve të Qershorit. Dje Bosch tha se “këtë rradhë standartet kanë edhe më shumë rëndësi në kushtet kur Shqipëria ka aplikuar për tu bërë pjesë e BE, duhet patjetër të keni zgjedhje të pakontestueshme”. Ndërkohë po dje duke komentuar listat e kandidatëve për deputetë nga partitë politike të shpallura sekondat e fundit të afatit ligjor, Bosch tha se “mund të bëhej më shumë në këtë drejtim“. Ai theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e vecantë që ka për procesin zgjedhor pajisja e qytetarëve me karta identiteti. Diplomati i huaj u bëri thirrje qytetarëve të pajisen me karta identiteti. Ambasadori nënvizoi dhe faktin që kartat elektronike nuk do të përdoren vetëm për zgjedhjet, por për shumë shërbime të tjera.

Advertisement