Z.Bosh, i është përgjigjur disa pyetjeve që lidhen me zhvillimet e fundit politike në vendin tonë. Cili është mendimi juaj për situatën politike në Shqipëri? Mendoj se Projekt-Rezoluta e Këshillit të Evropës, e cila shpresojmë se do të pranohet këtë javë në Strasburg, do të krijojë një situatë, ku partitë mund të mblidhen së bashku. Jam i gëzuar me reagimet pozitive të deritanishme ndaj sugjerimit nga të dyja palët, që është gjë e mirë. Tani thjesht duhet të merren hapa të tjera nga të dyja palët. Nëse kemi dy grupe apo palë që kanë opinione të ndryshme, duhet arritur një lloj kompromisi, se nuk është një lojë futbolli që mund të ketë një fitues, madje, këtu, për hir të interesave të vendit, nuk duhet të ketë në fakt as dy fitues, por fitues duhen të jenë të gjithë 3.5 milionë njerëzit që jetojnë në këtë vend. Është në të mirë të vendit që të kërkohet një kompromis, në përputhje me sugjerimin e bërë nga Këshilli i Evropës. Në këndvështrimin tuaj, cili është faktori politik që duhet të hedhë hapin e parë, opozita apo qeveria? Edhe në këtë çështje, hapat duhet të merren nga të gjithë njëherësh, prandaj edhe sugjerimi i Këshillit të Evropës për t’i dhënë një rol Presidentit ishte një sugjerim shumë i mirë. Kështu, të gjithë mund të ndërmarrin në të njëjtën kohë hapin e parë. Nuk ka nevojë që njëra apo tjetra palë ta ndërmarrë e para këtë hap. Deri tani janë konsumuar disa hapa politikë dhe duket sikur nuk kapërcehet dot, ose si duhet ta kuptojmë kapërcimin e një ngërçi që lidhet me Kushtetutën. Pra, ju besoni se do të arrihet një kompromis, qe do ta kapërcejë Kushtetutën? Mendoj se kjo është politikë e një niveli të lartë dhe politika e nivelit te lartë nuk është e hapur për të gjithë. Sigurisht, politika është mirë të jetë e hapur për të gjithë, por ndonjëherë gjëra të caktuara është mirë të bëhen, deri në njëfarë mase, me dyer të mbyllura, për arritjen e një kompromisi. A do të luajë OSBE-ja rolin e saj, z. Bosch? Ne sigurisht që do të mbetemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë, nëse na kërkohet, por vazhdoj të besoj se, duke pasur parasysh përparimin e madh që ka bërë vendi në rrugën e integrimit evropian, ju përket juve në radhë të parë, pra politikës shqiptare. OSBE-ja, Këshilli i Evropës apo edhe ndërkombëtarë të tjerë janë të gatshëm të ndihmojnë. Siç e patë edhe në sugjerimin e Këshillit të Evropës, dy raporterët janë gati të vijnë në Shqipëri dhe ata janë sigurisht të mirëpritur, por edhe një herë, mendoj se ju përket juve. A duhet të jetë negociator Presidenti i Republikës? Nëse roli i tij do të ishte pozitiv dhe ai mund të luajë rol pozitiv, do të ishte gjë e mirë. Mbi të gjitha, ai është presidenti, presidenti duhet të jetë mbi palët, kështu që ai duhet të jetë në gjendje të bëjë rolin e një mediatori më të pavarur. Por presidenti është garantuesi i Kushtetutës ndërkohë dhe kemi parasysh çështjen nëse ai do të ishte dakord që të shkelej Kushtetuta. Sigurisht që jo. Po pse thoni se konsensusi i arritur do të shkelte Kushtetutën? Nuk ka arsye… Një zgjidhje e mundshme konsensuale nuk duhet kurrë të shkelë Kushtetutën. Kjo nuk do të mbështetej as nga Këshilli i Evropës, as nga OSBE-ja, sepse ne jemi këtu për të mbrojtur shtetin e së drejtës. Duhet të jetë një kompromis i pranuar nga të gjithë, por, patjetër, pa shkelur kushtetutën.