Tiranë – Bode, kemi dyfishuar fondet e pushtetit lokal

Gjatë një konference për shtyp, ministri argumentoi se fondet e pushtetit lokal nga qeveria janë dyfishuar, por bashkitë i përdorin këto para për shpenzime operative. Bode ka pranuar faktin se njësitë ku qeveris partia demokratike kanë marrë më shumë fonde, por e argumenton këtë me faktin se ato njësi janë më të mëdha. “Ti trefishosh buxhetin me fonde të qeverisë dhe ti përdorësh ato për rritur artificialisht punonjësit, kjo është e papranueshme. Ndaj jam sot këtu për të denoncuar që çdo tentativë e Edi Ramës për të prodhuar krizë politike si dhe për të destabilizuar tregun, ekonominë apo shoqërinë është e dështuar” u shpreh Bode. Ndërsa për sa i përket ndarjes së fondeve për buxhetet lokale gjatë vitit 2010, ministri mohoi që ato të jenë ndarë sipas ngjyrimeve politike. Sipas Bodes fakti që mbi 50% e njësive vendore administrohen nga koalicioni PD-LSI është e justifikuar që fondet do të jenë edhe më të mëdha. Por lidhur me apelin që guvernatori i Bankës, Ardian Fullani bëri në adresë të qeverisë ku i kërkoi të bëjë kujdes me politikën fiskale, sërish ministri iu përgjigj duke u përqendruar tek pushteti lokal. “Vendorët të vijojnë me të njëjtën filozofi si të qeverisë, duke ulur taksat dhe tatimet, pasi dështimi I tyre në mbledhjen e detyrimeve vjen si pasojë e tendencës që ata kanë për ti rritur ato” tha Bode. Pas hartimit të buxhetit të vitit 2010, vendorët reaguan ashpër lidhur me ndryshimin e kufirit të biznesit të vogël. Ku ndryshim parashikon që shumë prej bizneseve të kalojnë në administrim të pushtetit qendrore, duke reduktuar të ardhurat për bashkitë, por ky pretendim u hodh poshtë nga ministri. Sipas tij ndryshimi I kufirit do të sjellë një konkurrencë të drejtë në treg.

Advertisement