Deputeti socialist, Ben Blushi, anëtar i “lëvizjes së mendimit ndryshe brenda PS”, e ka konsideruar vendimin e marrë nga kryesia e PS si një vendim personal të Edi Ramës, ndërsa bojkotin një vendim të papërshtashëm. “Kundërshtojmë me forcë bojkotin pasi mendojmë se këto zgjedhje të pjesshme janë një test politik për PS”, u shpreh deputeti socialist Ben Blushi. Blushi deklaroi se pavarësisht kundërshtimeve brenda PS ai dhe anëtarë të tjerë të lëvizjes nuk do të hyjnë në kuvend duke respektuar vendimin e partisë, por ata janë shprehur kundër bojkotit të PS në zgjedhjet lokale. Sipas tij, vendimi i kryesisë së PS për zgjedhje të parakohshme është një vendim qesharak. Mbledhja e kryesisë së PS ka përfunduar me miratimin e axhendës politike për periudhën tetor-dhjetor, ku janë përcaktuar lëvizjet që do të bëjë opozita në të gjithë vendin për të lexuar votën e elektoratit të majtë që sipas tyre u manipulua më 28 qershor.