Tiranë – Bllokohet aktiviteti i “ARMO sh.a.”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditura arsyet

Shkak për mbylljen e ARMO-s është bërë mosplotësimi i dokumentacioneve tatimore nga ana e firmës. Mësohet se urdhri për bllokimin e aktivitetit të ARMO-s është dhënë nga kreu i Financave, Ridvan Bode dhe është ekzekutuar nga Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave në Fier. Vendimi i Ministrisë së Financave pavarësisht se ka sjellë reagime të ashpra nga drejtuesit e ARMO-s ka pasuar me ndërprerjen e punës në këtë kompani. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar pse u bë bllokimi i depove të nënprodukteve të naftës të kompanisë “Armo”, duke theksuar se është një vendim ligjor. “Tatimpaguesi “ARMO” sh.a nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues akcizë si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ky Ligj”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Më pas deklarata vijon duke treguar se “ARMO”, pronë e Rezart Taçit, gjithashtu nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm. “Kërkesat e herë pas hershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej Dhjetorit 2008”, shpjegon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kjo drejtori thekson se “ARMO” prej shumë kohësh vazhdon të mos plotësojë dokumentacionin e duhur ligjor, duke çuar në bllokimin sot të depove të nënprodukteve të naftës ashtu siç ndodhi dhe në Maj të vitit 2009.

Advertisement