Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sërish sot në seancë plenare ku u betuan 140 deputetët e rinj. Në seancën e sotme, është paraqitur nga deputeti i PS-së Armando Subashi raporti i komisionit të verifikimit të mandateve të çdo deputeti të zgjedhur fitues në zgjedhjet e 23 qershorit. Gjatë leximit të raportit të Komisionit të Verifikimit të Mandateve për deputetët, deputeti i PS-së, Armando Subashi bëri të ditur se gjatë verifikimit është konstatuar se Vasil Bicaj, i cili fitoi mandatin e deputetit të Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës refuzon mandatin. Subashi sqaroi se me këtë çështje duhet të merret kreu i Kuvendit, në përputhje me rregulloren. Sipas ligjit, pas refuzimit të mandatit të njërit prej deputetëve, mandati i kalon pasardhësit të listës shumemërore të paraqitura nga ana e subjektit politik fitues apo e koalicionit fitues që në këtë rast është Mhill Fufi. Më pas sipas rregullores parlamentare, drejtuesi i seancës, Namik Dokle, lexoi tekstin e betimit dhe secili nga ligjvënësit u ngrit në këmbë duke thënë “Betohem”.